Pa kryeqytet në Kupë, janë Skënderbeu, Flamurtari, Kukësi e Laçi

Emocione nuk kanë vetëm Championsi apo Liga e Europës. Edhe pse duket një krahasim që nuk qendron, sërish çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë patën vërtet duele të fortë dhe rivalitet deri në fund.

Pas ndeshjeve të dyta u përcaktuan gjysmëfinalistët që janë Skënderbeu, Flamurtari, Kukësi e Laçi. Eleminohet kryeqyteti, me Partizanin e Superligës dhe me Tiranën e Kategorisë së Parë, por që ishte fituese e Kupës në fuqi.

Në stadiumin “Selman Stërmasi”, tifozët ndoqën padyshim përballjen më të hapur dhe me nivel më të lartë, atë Partizani-Flamurtari. Vlonjatët ia dolën edhe pse këtë herë humbën 1-2, ndërsa përveç tre golave mund të ishin shënuar edhe të tjerë.

Miqtë, që kishin fituar 1-0 ndeshjen e parë në shtëpi, kaluan shpejt në avantazh dhe u duk se e mbyllën çështjen e kualifikimit, por Partizani kishte mendim tjetër. Edhe pse trajneri Starova sërish nuk ishte në stol, kryeqytetasit barazuan në pjesën e parë me Trashin dhe fituan me rrjetën e Asanit, pas gabimit të portierit vlonjat, Nurkoviç.

Flamurtari mbetet brenda të gjithë objektivave, në vend të dytë në Superligë dhe në katërshe të Kupës, ndërsa për të kuqtë, sezoni bëhet edhe më i dështuar.

Kualifikim pa asnjë problem për Skënderbeun që mundi 3-0 Teutën në Korçë, pas fitores 2-0 në Durrës, me gola të shënuar nga Lilaj e dy herë nga Soue. Shqetësim te korçarët për dëmtimin e Jashanicës.

Më herët u luajtën dy sfida të tjera. Kukësi siguroi gjysmëfinalen pas një prove të fortë me Tiranën në “Zeqir Ymeri”. Kampionët fituan 1-0 me gol të shënuar shpejt, që në minutën e 4-ët, nga sulmuesi Guri dhe u mbajtën deri në fund. Ndeshja ishte interesante dhe të dyja skuadrat kishin mundësi shënimi.

Mes tre ekipeve shumë të forta financiarisht, në katërshe shkon edhe Laçi. Kurbinasit fituan edhe në Gjirokastër ndaj Luftëtarit, 1-0, me gol të shënuar nga Rezhinaldo, duke iu kujtuar të gjithëve se e kanë fituar kupën dy herë vitet e fundit, në 2013 e 2015.

Sfidanti.al