Pa “gojë të liga”, Partizani i lumtur dhe me barazimin në Fushë Krujë

Një nga problemet më të mëdha në Superligën shqiptare është “opinioni”, pra gjykimi se një skuadër apo tjetra mund të ketë toleruar, apo manipuluar rezultatin, për çfarëdo lloj arsyeje. Kjo e shtunë duket se e lumturoi Partizanin, pasi barazimi në Fushë Krujë ndaj Kastriotit, duket se do ta shpëtojë nga dyshimet apo akuzat.

Kryesuesit e kampionatit barazuan 1-1 duke kaluar në avantazh me golin e shënuar nga afrikani Mensah, edhe pse Juljan Shehu shënoi shumë shpejt për krutanët. Partizani përballoi edhe lojën me një futbollist më pak, pasi Lum Rexhepi doli me të kuqe që në minutën e 59-të. Kastrioti nuk mundi të përfitonte duke rrezikuar seriozisht statusin si skuadër e Superligës, pasi ka 31 pikë në 30 ndeshje. Partizani vazhdon kryesimin me diferencë, duke pasur 61 pikë.

Edhe në stadiumin e Laçit, u duk se nuk pati kompromis, të paktën me atë që u pa në fushën e lojës. Vendasve u duhej fitorja për të synuar Ligën e Europës, ndërsa korçarët duket se nuk janë “ngrohur” aspak nga seanca dëgjimore në KAS, edhe pse drejtuesit e klubit shprehen gjithnjë optimist. Mjaftoi një gol i shkodranit Shtubina, por u desh edhe një pritje e portierit Selmani, në 11-metërshin e gjuajtur nga Devi Bregu. Laçi ka 44 pikë, ndaj 43 të Skënderbeut duke e lënë prapa skuadrën kampione.

Sfidanti.al