Mjafton vetëm Cjapi për të ndalur kampionët e Skënderbeut

Ju kujtohet anektoda e Farruk Sejdinit me një arbitër me emrin Cjapi që thoshte se “ futbolli nuk mund të ndalet nga një Cjap”. Këtë frazë mund ta marrë borxh edhe një i huaj, italiani Agostineli, sidomos pas ndeshjes në Gjirokastër, Lufëtari-Skënderbeu. Kampionët kanë humbur shijen e fitores, por këtë herë ndihen të vjedhur  nga arbitri, i cili nuk ka dhënë një penallti flagrante. Quhet Cjapi dhe është pikërisht ai i famshmi i “xhaxhi” Sejdinit. Më parë paralajmërohej “ kujdes nga macja e zezë”, tani tabela është shkruar ndryshe: “ Mos i dil para Cjapit”.

Nëse fati i Skënderbeut do të mbetej tek ruleti i pikës së bardhë, atëherë, kjo vlen për të kuptuar se kampionët janë shndërruar në të zakonshëm, që edhe pse i pikon çatia e lojës, qahen për arbitrin. Një fakt ironik, kur kujton se arbitrat kanë qënë tepër të pafuqishëm për të lënë gjurmët e gishtave në kronikën e tyre. Në kohën e lulëzimit të tyre, për disa prej arbitrave, thuhej me batutë se “nuk i zinte gjumi pa veshur pizhamat me vija bardhë e kuq, si uniforma e kampionëve”. Po tani çfarë ka ndryshuar që guxojnë t’ia dredhin kampionëve edhe për gjëra kapitale si një 11 metërsh? Si minjtë që janë të parët që ndjejnë tërmetet, edhe arbitrat janë të parët që kuptojnë ndryshimin e kursit në bursën e flirteve. Nuk mjafton që Skënderbeu po vuan në lojë, duke treguar anën tjëtër të medaljes, pazotësi në qarkullimin e topit dhe humbjen e qartësisë kolektive në planin taktik, u dashka të durojë edhe kapriçiot e bilbilave. Ankohet i vetëm italiani i stolit, dëgjohet qartë thirrja e tij, sepse të tjerët e dinë mirë se si funskionon kur ke humbur magjinë e ëngjëllit mbrojtës.

Sfidanti.al