Milinkoviç s’kupton pse është më vështirë te Kukësi se te Luftëtari!

Mladen Milinkoviç u shfaq shumë i mërzitur pas ndeshjes që Kukësi i tij fitoi ndaj Kamzës në “Zeqir Ymeri”. Edhe pse u luajt në fushën e vet, edhe pse përballë ishte një skuadër  e ardhur nga Kategoria e Parë, sërish loja e kuksianëve nuk bindi. “Po shikoj se këtu te Kukësi qenka më e vështirë për ta bërë ekipin që të luajë bukur, ndërsa tek Luftëtari e pata më të lehtë”, – ishin fjalët e specialistit serb. Presidenti Gjici e përzgjodhi për zëvendës të Ernest Gjokës pikërisht për të ndryshuar lojën e ekipit, që vjet fitoi titullin me futboll pragmatil, por edhe me polemika për ndihmë nga gjyqtarët.

Trajneri gjithsesi mendon se mund ta gjejë një arsye se përse nuk po shkëlqen Kukësi. “Tek Luftëtari fillova punën në 1 korrik dhe loja e bukur erdhi në javën e 7-të, – tha ai, – te Kukësi nisi puna më vonë, ndërsa problemi është se pritshmëria është më e madhe. Të shohim nëse do t’ia dalim”.

Kukësi e nisi megjithatë me fitore sezonin e ri të Superligës, por pa bindur në ndeshjen e parë. Skuadra kampione triumfoi në fushën e saj 1-0 ndaj Kamzës, falë një goli të shënuar me penallti nga Elis Bakaj në pjesën e dytë. Vendasit këmbëngulën më shumë duke mbajtur topin në zotërim dhe duke krijuar disa raste për shënim, por goli erdhi vonë, vetëm në minutën e 63-të. Kamza, ndërkaq, më shumë u mbrojt, si dhe u ankua për cilësinë e fushës.

Sfidanti.al