Luftëtari ndihmon veten dhe Partizanin, fitore mbijetese ndaj Teutës

Nuk është vetëm Tirana, skuadra e transformuar. Habinë më të madhe po e bën Luftëtari, i cili vetëm pak javë pasi u mund 1-4 në Gjirokastër nga Kastrioti, hodhi një hap të madh drejt mbijetesës.

Fitoi 1-0 ndaj Teutës, po në Gjirokastër, duke u ngjitur në kuotën e 25 pikëve, e duke siguruar të paktën ruajtjen e distancës nga zona që të zbret nga kategoria. Skuadra e trajnerit Ahmataj dha një tjetër provë force, duke mundur një nga ekipet pretendentë për titull, pasi i mori pikën Tiranës brenda në kryeqytet.

Donald Rapo ishte autor i golit të vetëm të sfidës së javës së 23-të të Superligës, duke realizuar në minutën e 32-të të pjesës së parë, një rezultat që nuk ndryshoi deri në fund.

Durrsakët u përpoqën shumë pas pushimit, pasi humbja do t’i largonte shumë nga synimet për të fituar titullin, por nuk ia dolën. Gabuan edhe kur kishin mundësinë më të mirë, të paktën për të barazuar, me Prognin që humbi 11-metërshin në minutën e 73-të.

Mos vallë ky qenka një sezon i nisur për Partizanin? Është ende shpejt për ta thënë, por rivalët e të kuqve po gabojnë më shumë se kryesuesit. Teuta mundi një javë më parë Kukësin, duke u ngjitur e dyta, por këtë herë pësoi vetë humbje, ndërsa lufta për mbijetesë duket se do të vendosë jo pak edhe për titullin, si dhe për kualifikimin për në Ligën e Europës.

Sfidanti.al