Luftëtari “i Peqinit”, në Gjirokastër merren me tendera

Në Gjirokastër vazhdojnë të zhvillojnë tendera të njëpasnjëshme për pjesë të ndryshme të stadiumit, ndërkohë që futbollistët e Luftëtarit mbetën me çantë mbi shpinë, në kërkim të stadiumeve, për të luajtur si vendas shumë kilometra larg shtëpisë. Së fundi është premtuar disa herë mbërritja e ditës së inagurimit, por gjithmonë gjendet i njëjti pretekst për t’u shtyrë… tenderi i rradhës.

Edhe ndeshjen kundër Tiranës (megjithëse thuhej se bardheblutë do t’i prisnin në stadiumin e tyre), gjirokastritët do të jenë të detyruar ta luajnë në Peqin. Shkak është bërë vazhdimi i punimeve në ambjentet e brendëshme të impiantit, që firma fituese e tenderit të fundit nuk i ka përfunduar brenda afatit. Ndërsa Luftëtari ka nevojë për mbështetjen e tifozëve, pasi edhe kështu do ta kishte të vështirë qëndrimin në Kategorinë Superiore, ndërsa nëse punimet zgjaten ende, ka mundësi që shumë shpejtë bluzinjtë të mos jenë më konkurentë as në fundin e tabelës së klasifikimit.