Lilaj, një tjetër yll “i zhdukur” i Skënderbeut të Agostinelit

Kampionët e Skënderbeut e kanë humbur fare shkëlqimin, madje duket se as ultimatumet e presidentit Takaj drejtuar trajnerit dhe futbollistëve, nuk po japin efekte në fushën e lojës. Nën drejtimin e Agostinelit, skuadra vazhdon të kryesojë Kategorinë Superiore, por tani e ka të vështirë të gjejë golin, të dhurojë spektakël, apo të dominojë qoftë edhe ndaj skuadrave të vogla, siç ishte rasti i fundit, ndaj Korabit debutues. Situata duket se është bërë e bezdisshme dhe reagimet e ashpra po vijnë nga të gjitha anët, drejtuar po në të njëjtën adresë. Që nga tifozët dhe deri tek titullarët e  klubit, janë gjithnjë e më të pakënaqur me këtë lojë të papërshtatshme të gjashtë herë kampionëve të vendit.

E keqja më e madhe është, se janë shfiguruar yjet e ekipit, ata tek të cilët skuadra është mbështetur në fitoret e trofeve të fundit dhe që parashikonte të mbështetej edhe gjatë edicionit të sivjetshëm. Salihi nuk është më njeriu që të mbyll ndeshjen, por edhe Lilaj ka ndryshuar ndjeshëm dhe e gjitha kjo duket se e ka një arsye. Mënyra e lojës, e zgjedhur nga tekniku italian, ka filluar të stonojë me logjikën e ndërtimit të kësaj skuadre. Ky ekip, kur merr përsipër të bëhet pragmatist, stonon, kthehet në i zakonshëm dhe duket se Agostineli është i destinuar ta humbasë edhe bastin e fundit me korçarët.