Kukësi “ngjallet” në Shkodër, mund Vllazninë dhe “nxjerr” Partizanin në krye!

E prisnin prej kohësh këtë ditë dhe e arritën pa trajnerin. Natyrisht, Kukësi e pati drejtuesin në stol, Rrahman Hallaçin, ndërsa Skënder Gega padyshim mbeti i kënaqur me atë që pa nga televizori, pas fitores 4-2 në Shkodër. Duhej të ishte prova më e vështirë, ajo në fushën e Vllaznisë kryesuese, dhe nisi pikërisht e tillë duke pësuar gol që në fillim, por duke reaguar fort më pas. Heroi i nënkampionëve ishte sulmuesi nga Maqedonia e Veriut, Besart Ibraimi, që shënoi dy herë, madje rrjetat që sollën përmbysjen në 2-1.

Më tej, kuksianët u treguan më të qartë dhe më të saktë duke e mbyllur ndeshjen në “Loro Boriçi” me shifrat 4-2. Mos vallë duhet të themi se Vllaznia kaq e pat? Në asnjë mënyrë jo, pasi të besuarit e trajnerit Tomas Brdariç nuk u dorëzuan dhe luftuan deri në fund. Ata patën raste dhe fare mirë mund të kishin marrë barazimin, por diferenca në cilësi bëri të vetën. Jo më kot, presidenti i nderit Gjici, ka bërë sërish shpenzime duke afruar lojtarë me nivel të lartë për Superligën shqiptare.

Golat e Dungës dhe Hoxhajt nuk mjaftuan për shkodranët, ndërsa Eze dhe Limaj shënuan në pjesën e dytë, ky i fundit në minutën e 4-ët shtesë. Ky rezultat, kombinuar me fitoren 4-0 të Partizanit ndaj Skënderbeut në “Elbasan Arena”, bënë që të ndryshonte jo pak renditje. Kryeqytetasit arritën Vllazninë në krye me nga 10 pikë, madje ekipi i Ilir Dajës ka golaverazh më të mirë. Kukësi u ngjit në 7 pikë, vetëm tri pikë larg kreut.

Sfidanti.al