Kukësi ndihmohet nga “janari” për të kaluar krizën e shkurtit në Superligë!

Nuk ishte e lehtë, por fitorja u mor, madje u arrit edhe diçka më shumë. Kukësi i shtoi vetes tri pikë në renditjen e Superligës, duke u ringjitur në vend të dytë, por edhe pati kënaqësinë sepse golat u shënuan nga lojtarët e ardhur në janar.

Vasil Shkurtaj, Valdet Rama dhe Eduard Rroca ishin autorët e rrjetave të një suksesi që nuk ishte aspak i lehtë ndaj ekipit të fundit të tabelës, Kamzës. Përfundoi 3-2, me kamzalinjtë që nuk u dorëzuan deri në fund, tashmë të drejtuar nga trajneri i ri, Gentian Stojku, i katërti në këtë sezon.

Shkurtaj, i ardhur nga Luftëtari shënoi shpejt, por pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1 në “Elbasan Arena”, pas rrjetës së japonezit Fukui për miqtë. Pas pushimit, sidoqoftë erdhi reagimi i shpejtë i veriorëve. Valdet Rama, ish-lojtar i kombëtares realizoi për avantazhin e dytë.

Pastaj hyri në fushë Rroca, të cilit iu deshën vetëm tri minuta për të gjetur golin. Gjithsesi, nuk pati kohë për festë të gjatë, sepse Kamza e shkurtoi sërish diferencën duke i bërë të vështira 13 minutat e fundit.

A mund të thuhet se Kukësi e kaloi krizën? Jo plotësisht, pasi pësimi i dy golave nga vendi i fundit i Superligës tregon për pasiguri. Presioni i rezultatit mbetet tepër i madh mbi trajnerin Cungu dhe lojtarët e tij, dhe kjo vazhdon të ndikojë për keq.

Pas 23 javësh, Kukësi ka 41 pikë, 8 më pak se Partizani kryesues, duke mbetur ende me shpresë për titullin kampion. Kamza, ndërkaq, ka 16 pikë, 9 pikë larg zonës së shpëtimit, dhe nuk po i bën punë ndryshimi i trajnerëve.

Sfidanti.al