Kukësi kap kreun e Superligës, por presidenti Gjici kërkon më shumë!

Kukësi e shfrytëzoi shansin që iu dha dhe doli në krye të Superligës shqiptare të futbollit. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ernest Gjoka u mjaftua me një fitore minimale në fushën e saj ndaj Flamurtarit, dhe u ngjit në kuotën e 31 pikëve. Goli I realizuar nga sulmuesi Izair Emini bëri që kuksianët të dilnin dy pikë mbi Skënderbeun, që e barazoi ndeshjen e tij në Durrës me Teutën.
Pavarësisht nga fitorja, skuadra veriore u detyrua të tërhiqej në 20 minutat e fundit, dhe Gjoka spjegoi se kjo u bë për të mos rrezikuar fitoren. “Humbëm shumë raste, – u shpreh ai, – dhe fakti që nuk shënuam dot golin e dytë, na bëri nervozë, kështu që vendosa të mos rrezikonim shumë, sepse nëse pësonim do të kishte qenë shumë e vështirë për të reaguar në kohë”.
Presidenti Gjici ka kërkuar nga skuadra fitore me lojë të bukur, dhe kjo gjë nuk është se po ndodh gjithnjë. Ndaj Partizanit, Kukësi u detyrua të përballonte presion të madh, ndërsa kështu ndodhi edhe në minutat e fundit në fushën e vet me Flamurtarin.
Ndërkaq, Superliga pati një të papritur në Shkodër, ku Vllaznia u mund nga Luftëtari. Rezultati përfundimtar në stadiumin “Loro Boriçi” ishte 3-2 për gjirokastritët që kryesuan gjatë gjithë kohës. Skuadra mike kaloi dy herë në avantazh, por Vllaznia barazoi, ndërsa në pjesën e dytë erdhi goli vendimtar shënuar nga Rezhinaldo. Me këtë sukses, Luftëtari ka tani 18 pikë, vetëm një më pak se Vllaznia që mban vendin e pestë në klasifikim.