Kukësi, historia kur etapat digjen pa u përshkuar

Kanë kaluar vetëm 16 javë, dy më pak se gjysma e kampionatit, por të mjaftueshme për të harruar skuadrën e kurorës së sezonit të kaluar. Sidoqoftë, duhet të kishin tentuar të na ambjentonin me titullin e tyre, pasi kështu ndodh gjithmonë me kampionët e rinj, ndërkohë që kuksianët e kishin pothuajse të pamundur të na e jepnin këtë shans. Në fakt, asnjëherë historia nuk është për t’u injoruar, pasi më e pakta, gjithmonë të detyron t’i mbash këmbët të mbështetura fort në tokë. Madje edhe kur zhdukesh, vetëm për hir të asaj që ke bërë në shërbim të kënaqësisë së komunitetit, krijon vetvetiu përshtypjen se ky është vetëm një largim provizor… dhe të presin. Kukësi ishte i bukur për aq kohë sa ishte modest. Erdhi në Kategorinë Superiore duke luajtur në një lëndinë, ndërsa presidenti Gjici kontribuoi për të pasur edhe një stadium të përshtatshëm vetëm me emrin e pakultivuar të skudrës që kishte vendosur të drejtonte. Ekipi verolindor bëri një paraqotje të jashtëzakonshme në ballafaqimin e parë në Europa League dhe pikërisht që nga ai moment asgjë nuk ishte më si më parë. Kukësin nxituan ta rreshtonin si forcë kryesore e futbollit të vendit, duke mos e konsideruar më faktin se çfarë kishin hequr të tjerë më parë, për të qenë në faqet e librit tonë modest të historisë. Safetit me të tijët i lindi idea për t’i djegur etapat pa i përshkuar. Kështu që ne nuk kishim me një surprizë të këndëshme, për t’u shijuar, por një “diçka” të ngritur me shpenzime ekstravagante dhe në të tilla raste instiktivisht ke ndikuar edhe për të ngritur paralelisht një ambjent arrogant.

Trajnerin e parë të suksesit, Armando Cungun, e larguan në mënyrën më të keqe të mundëshme, duke u munduar t’ia denigronin figurën. Meqenëse kjo është një histori e re, të gjithë I mbajnë mend ata që u shprehën në publik, se rezultatet kishin ardhur në saj të punës së Starovës, në atë kohë drejtor i klubit. Më pas, i njëjti fat e gjeti vetë Sulën, të cilin e etiketuan të plakur dhe pas tij pothuajse një trajtim I ngjashëm u rezervua edhe për një mori teknikësh të tjerë, disa prej të cilëve personalitete të padiskutueshëm të futbollit të vendit. Drejtuesit e Kukësit as që u kujdesën për ta integruar gradualisht krijesën e tyre në klasin e parë të bordit të futbollit shqiptar, por në të kundërt, menjëherë sapo u prezantuan, u mburrën se kishin tejkaluar bëmat e Flamurtarit të famshëm të viteve ’80. Pastaj sipas rradhës… Kërkuan trofe me të gjitha mënyrat, prenotonin arbitra për të mundur këdo që i dilte përpara, donin të trajtoheshin edhe ata si Skënderbeu dhe në fund menduan se u duhej patjetër edhe një titull i madh. I vërshëllyen Jorgjit dhe Jorgji vërshëlleu si ata. Në atë kohë, Kukësi nuk ishte më as histori shqiptare, pasi nuk donte të humbiste asgjë, përveç ndeshjeve që kishte programuar të falte dhe në shtypin tonë kreativ filloi të propagandohej, se skuadra jonë e vogël nga përtej tunelit të Kalimashin, në këtë maratonë futbollistike ka lënë prapa me kilometra, Barcelonën dhe Realin e Madridit. Pra ndoshta ky Kukësi i tanishëm, i katërti në renditjen e kampionatit, ende në garë për Kupën e Shqipërisë, është për t’u cilësuar si një “Hirushe” e suksesshme, duke marrë për bazë historinë që përfaqëson.