Klube të Superligës, doni të luani në “Arenë”? Atëherë tundni 10 milionë!

Dëshironi të luani në këtë luks? Atëherë, nëse iu pëlqen, dhe nëse kërkoni të fitoni edhe para, duhet të paguani më shumë se deri tani. Ky ishte vendimi i marrë nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit për “Arenën Air Albania”, dhe tarifa për çdo ndeshje do të jetë 8 deri në 10 milionë lekë të vjetër.

Burime në Komitet treguan se në mbledhje u llogaritën kostot e mirëmbajtjes, dhe u vendos për këtë pagesë, me diferencën vetëm nëse do të luhet me ndriçim apo jo. Nga Federata informohemi se Partizani fitoi 110 milionë lekë të vjetër neto, pra duke hequr të gjitha shpenzimet, nga derbi i luajtur në “Arenë” me Tiranën.

Po ashtu, Kukësi fitoi 15 milionë lekë, gjithashtu të vjetër nga ndeshja me Partizanin, hera e parë që klubi verior del me fitim në një sfidë e kampionatit. Llogaritet që deri në fund të sezonit, në Arenë të luhen 12 deri 13 ndeshje, nga të cilat derbet e kryeqytetit, apo sfidat e Tiranës e Partizanit me Kukësin, pse jo edhe ndonjë tjetër.

Deri tani, marrëvëeshja mes drejtorisë së stadiumit dhe klubeve ka qenë me përqindje, dhe ndoshta ky negociim do të bëhet sërish për duelet mes Tiranës e Partizanit, duke pasur parasysh të ardhurat e mëdha që sjell kjo ndeshje.

Sfidanti.al