Futbolli ka logjikë kur luan Skënderbeu, Flamurtari e dinte se do të humbiste!

Asnjë trajner nuk thotë para ndeshjes se do të humbasë, edhe kur është thuajse i bindur. Nuk e tha as Shpëtim Duro, specialist me shumë përvojë i Superligës shqiptare, ndërsa Flamurtari i tij shkoi të luante në Korçë ndaj Skënderbeut. Veçse, optimizmi qoftë edhe në sipërfaqe i Duros nuk mund ta shpëtonte ekipin e tij nga ndëshkimi i pritur. Shpesh thuhet se futbolli nuk ka logjikë, por kur Skënderbeu luan në kampionatin shqiptar, lojës së topit “i vijnë mendtë”. Me një skuadër që konservohet nga sezoni në sezon, dhe ku largime-afrimet kryhen sipas një grafiku të përcaktuar mirë, korçarët janë në gjendje të imponojnë gjithnjë lojën e tyre, falë njohjes së futbollistëve me njëri-tjetrin.

Kështu ndodhi edhe sot, me suksesin 2-0 ndaj vlonjatëve, me një penallti të kthyer në gol nga Lilaj që në minutën e dytë, dhe me rrjetën e pjesës së dytë të realizuar nga Muzaka. Trajneri Daja luajti pak a shumë me formacionin e përdorur në Europë, ku i vetmi ndryshim ishte Shkodra titullar, si dhe Xhejms në krah të sulmuesit kryesor Soue. Në pjesën e dytë u provuan edhe afrimet e reja, Sahiti dhe Nespor, si dhe njohja e vjetër, Gjergji Muzaka.

Daja është në stolin e korçarëve që nga janari, kohë në të cilën Duro erdhi tek Flamurtari. Dy specialistët tiranas, veçse trashëguan situata të ndryshme. Duro u detyrua të ndryshonte 80 apo 90 për qind të ekipit, ndërsa Daja shumë më pak. Kjo u duk sot në javën e parë të kampionatit.

Sfidanti.al