FSHF njofton ndalimin e Kongresit të UEFA-s, pastaj pezullimin e Superligës!

Situata u bë e tillë që nuk ia vlente më të vazhdoje. Gjithsesi, përpara sesa të vendoste për futbollin në vend, Federata Shqiptare njoftoi anulimin e Kongresit të FIFA-s në Adis Abeba të Etiopisë, dhe vetëm pas një ore dha njoftimin për Superligën. Pra, ndërprerje e plotë e aktivitetit futbollistik në Shqipëri deri në një vendim të dytë.

Të martën, UEFA do të organizojë një videokonferencë me 55 federatat anëtare, për të marrë një vendim për ecurinë e aktiviteteve futbollistike europiane për klube dhe kombëtare. Pak ditë më parë, Federata mori lejen nga qeveria për të luajtur pa tifozë dy ndeshje të së hënës, ato Vllaznia-Partizani dhe Skënderbeu-Kukësi, e në vazhdim arriti të bënte një përjashtim për ta zhvilluar Superligën pa praninë e publikut.

Fillimisht, Tirana njoftoi edhe për konferencë për shtyp të trajnerit të saj, Emanuel Egbo, ndonëse Kukësi vendosi të mos bënte takim me mediat. Sipas programit, ishte parashikuar që nesër të zhvilloheshin ndeshjet Kukësi-Luftëtari e Bylis-Tirana, ndërsa të shtunën do të ishin Laçi-Teuta, Partizani-Skënderbeu e Flamurtari-Vllaznia. Deri tani, Superliga ka zhvilluar 26 javë, dhe Tirana kryeson me 53 pikë, 9 më shumë se Kukësi i vendit të dytë.

Sfidanti.al