Flamurtari, i vetmi që shënon në 180 minuta spektakël Superlige!

Dy 90 minutësha të ndarë mes Vlorës dhe Elbasanit sollën vetëm një gol, ndonëse katër skuadra të Superligës meritonin shumë më tepër. Nuk ia dolën të realizonin as Partizani, as Kukësi dhe as Tirana, dhe i vetmi që nderoi kampionatin me tundje rrjete ishte Flamurtari. Donjet Shkodra, talenti nga Prishtina, theu rezistencën e Ilion Likës duke i dhënë 3 pikë vërtet të arta vlonjatëve ndaj bardhebluve. Me 0-0 në Partizani-Kukësi dhe 1-0 në Flamurtari-Tirana, kuksianët mbërritën Skënderbeun në renditje, ndërsa bregdetasit tani janë edhe më larg zonës së ftohtë të renditjes (imagjinoni sikur të mos u ishin hequr pikët).
Në stadiumin “Flamurtari”, mund të thuhet se Tirana bëri “vetëvrasje”. Krijoi disa raste në pjesën e parë, por gaboi, dhe vendasit e ndëshkuan në minutën e 42-të. Donjet Shkodra ishte heroi. Pas pushimit, sërish tiranasit luftuan më shumë dhe patën një rast për gol të sigurt, veçse më i miri i tyre këtë sezon, Afrim Taku gaboi çuditërisht. Deri në fund nuk pati ndryshime, me një humbje që trondit shanset dhe besimin e skuadrës së trajnerit Josa për të fituar titullin kampion. Bardheblutë janë 6 pikë pas vendit të parë.
Në “Elbasan Arena”, Partizani bëri më shumë dhe me të drejtë mund të ankohet për gjykimin. Gjyqtari anësor i anuloi një gol të rregullt që në fillim të takimit, ndërsa pretenduan dy herë për penallti, që Jemini nuk i cilësoi si të tilla. Sulmuesi më i mirë i të kuqve, Ekuban, pati disa mundësi shënimi, sidomos në minutën e 78-të, rastin më të pastër të ndeshjes, por gaboi. Pejiç dhe Lukas patën edhe ata raste për Kukësin, që mori një pikë shumë të rëndësishme. Pas 0-0 me Tiranën në Kukës, dhe 0-0 me Skënderbeun në Korçë, një tjetër barazim pa goa me pretendentët. Kukësi është në krye me 28 pikë, po aq sa Skënderbeu.