Egbo nuk dëshiron t’i kthehet makthit të Kupës, mirë që erdhi Kukësi!

Ka pasur një detyrë të vështirë Emanuel Egbo, pas ndeshjes së humbur në Kupë ndaj Bylisit, për të cilën ka dyshime dhe akuza për trukim. Për trajnerin e Tiranës kjo ishte gjëja e fundit që duhej të ndodhte, ndërsa ekipi po shkon drejt titullit kampion, me 9 pikë epërsi ndaj Kukësit, por ende me asgjë të sigurt matematikisht. Për këtë arsye, duhet qetësi dhe përqëndrim për Kukësin, në sfidën e Superligës, madje në një farë mënyre tekniku shqiptaro-nigerian është i lumtur që mund të flitet për tjetër gjë, dhe jo për kuotat “me pullë të kuqe” të basteve, dhe për mosimpenjimin e ekipit të tij në pjesën e dytë në Ballsh.

“Ndaj Kukësit është ndeshje e rëndësishme, e kemi vlerësuar shumë dhe kemi lënë lojtarë pushim në kupë për të qenë më të freskët, – tha ai, – nuk e di nëse dalim kampionë nëse fitojmë, por do të japim maksimumin për të marrë atë që na takon”. Si gjithnjë, trajneri ftoi “në skenë” Zotin për ta ndihmuar atë dhe ekipin e tij.

Gjithsesi, gazetarët këmbëngulën në dyshimet e tyre për ndeshjen e Kupës. “Kam folur më parë dhe nuk dua të përsëris veten, – tha ai, – ne humbëm 1-2, jo 1-3, pra kemi shanse të kualifikohemi. Kishim disa lojtarë që nuk kanë luajtur shumë, dhe ishte shumë vapë. Kjo është e gjitha”. Egbo nuk komentoi mungesën që mund të ketë Kukësi, pra Shkurtajn, madje tha se nuk është e sigurt që ai nuk do të luajë, duke nënkuptuar se te Kukësi po bëjnë lojë psikologjike para ndeshjes, ose ndoshta se Shkurtaj mund ta kalojë dëmtimin. Tirana kryeson Superligën me 65 pikë ndaj 56 të Kukësit.

Sfidanti.al