Egbo “i heq” pronësinë e Tiranës presidentit Halili, ia jep Zotit!

Karvani do të shkojë përpara çfarëdo që të thuhet. Edhe Tirana dëshiron të mos dëgjojë majtas e djathtas, por të përqëndrohet në punët e saj, fillimisht në stërvitje e më pas në fushën e lojës, diçka që e ka shumë të qartë trajneri Emanuel Egbo. Nigeriani kërkon vëmendje vetëm për ndeshjen e radhës në Durrës ndaj Teutës, duke thënë se është si të tjerat se vlen tri pikë.

Pasi nuk deshi të komentonte deklaratat e presidentit të Kukësit, Gjici, që u ankua se Tirana i fiton ndeshjet lehtë, dhe pasi nuk foli për planet për përforcime pas sezonit, Egbo u ndal edhe një herë tek tema e tij e preferuar, ndihma e Zotit në rezultatet që merr. “Ne jemi si një familje, jemi si vëllezër, si prindër dhe fëmijë, dhe i zgjidhin në familje të gjithë problemet që kemi, – tha ai, – ky është sekreti, plus që na ndihmon Zoti. Është Zoti që na udhëheq, është ai pronari i vërtetë i klubit, pastaj presidenti Halili, ndërsa ne të tjerët jemi administratorët”. Nuk dihet nëse Halilit do t’i ketë pëlqyer që i është hequr në këtë mënyrë pronësia nga aksionet e tij.

Sfidanti.al