E prezantoi për Vit të Ri, por Partizani e zyrtarizon vetëm tani!

Xhevahir Sukaj është zyrtarizuar më në fund si lojtar i Partizanit. Klubi i presidentit Demi, që e kishte afruar sulmuesin në fillim të janarit, nuk mundi ta kishte në përbërje në ndeshjen e parë të kampionatit në Gjirokastër, takim që edhe e humbi. Dokumentacioni duket e vonoi një nga lojtarët ofensivë më të mirë në Shqipëri, ndërsa trajneri Starova do të kishte dashur që kjo të mos kishte ndodhur. Gjithsesi, të kuqtë tashmë e kanë Sukajn të vetin, dhe ai do të jetë i gatshëm në ndeshjet e kampionatit në vazhdim, ashtu siç do të kthehet nga pezullimi edhe Kaleb Ekuban. Për fat të keq, dëmi u bë në stadiumin e Luftëtarit, dhe Kukësi tani është jo 1, por plot 4 pikë larg. Gjithsesi, me Sukajn dhe Ekubanin në sulm, si dhe me Mazrekajn më të ndërfutur në lojën e Starovës, Partizani mbetet me besim se mund ta mbërrijë kryesuesen e tanishme të Superligës.