Ç’“virus” ka Partizani? Si mund të humbej pikë në një ndeshje të tillë?!

Kur shikon rastet për gol të dalin 9-2 për vendasit, ndërsa kur shikon rezultatin, ai del 1-1. i tillë Partizani sot në ndeshjen teorikisht më të lehtë të Superligës, në fushën e vet me ekipin e fundit të renditjes, Apolonisë, por ja që ndodhi. Pikërisht kur pritej që të kuqtë e Ilir Dajës të “kërcenin” në vendin e dytë, 7 pikë pas Vllaznisë, ndodhi ndalesa në “Elbasan Arena” që i la në 20 pikë, baraz me Laçin e Teutën.

Pavarësisht epërsisë dërrmuese, kryeqytetasit e gjetën golin vetëm në minutën e 80-të, ndërsa u ndëshkuan pasi bënë gabimin klasik të tërheqjes për të mbrojtur rezultatin. Pikërisht në 96’ fierakët barazuan me penallti. “Ne kemi problem në 30 minutat e fundit, – tha Daja, – nuk patëm manovrën e duhur (autokritikë), por edhe duhej të bënim më shumë në situatat pranë portës (kritikë lojtarëve)”. Ndoshta blerja e ndonjë sulmuesi tani në janar mund ta ndihmojë Partizanin, ndoshta ishte mungesë fati, por tifozët padyshim që janë shumë të mërzitur. Pas dështimeve me dy trajnerët italianë shpresat ishin të mëdha, por ende nuk po sendërtohen. Ne po flasim për rezultatin sipas logjikës së futbollit, jo mbi bazën e ndonjë logjike jashtë elementëve sportivë që nuk duam as ta mendojmë.

Sfidanti.al