Çmimet e biletave, korçarët duan sërish ndihmën e Federatës

Drejtuesit e klubit Partizani kanë publikuar çmimet e biletave për ndeshjes e së djelën ndaj Skënderbeut, gjë që ka sjellë edhe reagimin e menjëherëshëm të klubit Skënderbeu, madje edhe për këtë është kërkuar ndihma e Federatës. Në fakt, më shumë është folur për sektorët pas portave, ku sipas korçarëve, çmimi prej 5000 lekësh (të vjetra) të vendosura nga organizatorët është vërtetë i ekzagjeruar. Klubi Skënderbeu ka sjellë në vëmendje, se vetëm dy muaj më parë, për ndeshjet e kompeticioneve UEFA Champions League dhe Europa League, çmimim i biletave pas portave, të vendosura nga klubi Partizani, ka qenë vetëm 2000 lekë.

Ndërsa në Korçë, po për ndeshjen me Partizanin, biletat për të njëjtët sektorë ishin vetëm 1000 lekë. Flitet për vende që prenotohen nga tifozeritë “ultras”, por edhe ata me mundësi të limituara financiare dhe klubi Partizani nga ana e tij e ka gjetur një zgjidhje. Tifozët e kuq do të paguajnë vetëm gjysmën e biletës, pasi pjesa tjetër do të rimbursohet nga klubi. Kështu u veprua në derbi, ndërkohë që i sygjerohet edhe klubit korçar ta bëj një gjë të tillë.