Arena është super, por tifozët i rrinë larg derbit Kukësi-Partizani!

Ndoshta mund të ndodhë ndonjë mrekulli në momentet e fundit. Një sfidë luksi mund të thuhet se luhet në impinatin më luksoz të futbollit në Shqipëri, veçse atmosfera duket e vaktë. Sipas informacionit nga klubi kuksian dhe agjencia për shitjen e biletave, deri në mesditë nuk ishin blerë më shumë se 1 800 të tilla, dhe numri nuk pritet të rritet shumë deri në orën 19:00, kur edhe nis sfida.

Kjo do të thotë se nuk priten më shumë se 3 000, maksimumi 4 000 të pranishëm në “Arenë”, një numër shumë i vogël për vetë rëndësinë e ndeshjes. E qartë që çmimi i biletave mund të ketë penalizuar sidomos një pjesë të tifozëve kuksianë, për vetë ekonominë më të dobët që ka rrethi verilindor, edhe pse një pjesë e madhe e banorëve janë zhvendosur pranë Tiranës. Klubi pritës ka vendosur çmimet 500, 1 000, 2 000 dhe 3 000 lekë për biletë, në varësi të tribunës.

Në impiant janë bërë punimet e fundit për të qenë gati për ndeshjen e javës së 19-të të Superligës. Sado pak shqetëson gjendja e fushës, e cila nuk duket në maksimumin e saj, ndërsa dita e diel është me reshje dhe mund të ndikojë edhe më keq. Kukësi ka 32 pikë pas 18 javësh, ndaj 28 të Partizanit, ndërsa të dyja skuadrat vijnë pas rezultateve jo të mira, përkatësisht barazim dhe humbje.

Sfidanti.al