Vendos Magani i fundit, Lushnja me pikë të plota

Gugash Magani kthehet te pankina e Teutës, ndërsa skuadra durrsake te fitorja, pas një serie rezultatesh negative. Golin që hapi ndeshjen me Laçin e shënoi Artur Magani, djali i trajnerit peqinas. Ndërkohë që kishte mbetur edhe një Magan për të mbyllur javën, ai është Endri, i cili shënoi sot për Lushnjën, në fitoren 2-1 të skuadrës së Banos ndaj Bylisit. Lushnja ka arritur një fitore shumë të rëndësishme dhe pas gjashtë javëve të luajtura ka pikë të plota (18) dhe që tani është 9 pikë përpara ndjekësit më të afërt, Shkumbinit të Peqinit, ekipit të qytetin ku kanë lindur të gjithë Maganët.

Me rezultatin 1-0 ka përfunduar pjesa e parë, ndërsa një minutë pasi futbollistët u rifutën në fushë, Taullau ka shënuar një gol të mrekullueshëm, nga një distancë rreth 20 metra. Por sot nuk ishte dita e Cankës, shënuesit më të mirë të Grupit B, me 6 gola, pasi sulmuesi lushnjar i shpërdoroi të gjitha mundësitë që iu paraqitën. Në të 82’, futbollisti afrikan Bouen shënoi për Bylisin, ndërkohë që skuadra mallakastriote, e ndërtuar për t’u kthyer në Superiore, duhet të rikuperojë diferencën prej 10 pikësh që e ndan nga Lushnja kryesuese.