Kallaku tek Lokomotiva e Zagrebit, por fama e Superligës ia ul vlerën e kartonit!

Rrugët tashmë janë shumë më të hapura se më parë. Pavarësisht nga kufizimet e koronavirusit, transferimet e futbollit shqiptar për në Europë po shtohen në sasi e cilësi, dhe njëri prej “eksporteve” më të fundit e ka emrin Sherif Kallaku. Mesfushori i talentuar i Teutës së Durrësit do t’i japë fund karrierës në Superligë për të kaluar në Kroaci. Lojtari 22-vjeçar i lindur në Fushë Krujë, do të kalojë tek Lokomotiva e Zagrebit, dhe besohet se shitja e kartonit të tij do t’i japë klubit durrsak 200 deri në 250 000 euro. Kjo, për shkak të vlerës së ulët të kampionatit shqiptar, sepse teorikisht kartoni i Kallakut arrin vlerën e 500 000 eurove.

Mesfushori ishte lojtari më i mirë i Teutës këtë sezon, duke shënuar 13 gola në 17 ndeshje, e duke ndikuar shumë në lojën e ekipit, ndërsa ai ka rënë në sy gjatë gjithë sezoneve të fundit. Pasi ishte pjesë e akademive të Partizanit e Tiranës, si dhe të Akademisë së Futbollit, pasi u provua në Itali te Kremoneze, ai u stabilizua në Superligë me Laçin e Teutën. Tek Lokomotiva e Zagrebit do të ketë mundësi të luajë në Champions sezonin e ardhshëm, ndërsa vazhdon traditën pasi në skuadrën e kryeqytetit te Kroacisë luajnë 5 lojtarë shqiptarë, Uzuni, Mersinaj, Çokaj, Kastrati e Tuci.

Sfidanti.al