Ibrahimoviç: As unë vetë nuk e di se ç’do bëj në të ardhmen!

“La Gazeta delo Sporti” e preu shkurt duke lajmëruar se suedezi s’ka ndërmend të rinovojë me Milanin, dhe kur e thotë ajo, ke arsye të forta për të besuar. Gjithsesi, vetë “i zoti i punës”, pra Zllatan Ibrahimoviç, nuk dëshiron të japë një përgjigje përfundimtare se çfarë do të bëjë. Ndërsa ndodhet në Suedi, i izoluar (besohet) për shkak të koronavirusit, ylli 38-vjeçar u pyet nga e përditshmja e Stokholmit, “Svenska Dagbladet”.

“As unë vetë nuk e di se cila do të jetë e ardhmja ime, – ishin fjalët e tij, të botuara nga gazeta, shoqëruar me një foto të tij në vaskën e shtëpisë, – do të shoh e do të bëj, çdo ditë që kalon mund të sjellë diçka të re. Kush mund ta kishte parashikuar koronavirusin? Pra, le të kënaqemi me çdo ditë që jetojmë, nuk duhet të shqetësohemi më shumë sesa duhet. Kam një familje për të cilën duhet të preokupohem, nëse ata janë mirë, edhe unë jam mirë”. Ibra do të shikojë formën fizike për të vendosur më pas, ndërsa nuk është i sigurt nëse do të ketë nerva për të qenë në rolin e trajnerit.

Sfidanti.al