Harta e futbollit në koronavirus, luajnë amerikanolatinët dhe ish-sovjetikët!

Jo vetëm këta, por flitet për shumicën e ligave ende në aktivitet e sipër. Pavarësisht se koronavirusi ka krijuar probleme dhe panik të madh, sërish shumë kampionate në të gjithë botën vazhdojnë, ose nuk janë ndërprerë për shkak të tij. Premier Liga ruse vazhdon me spektatorë të pranishëm në stadiume, po kështu edhe disa nga republikat ish-sovjetike si Ukraina, Bjellorusia, Kazakistani, Kirgistani, Uzbekistani apo Turkmenistani. Në Ballkan dhe Europën Qendrore kemi Hungarinë dhe Serbinë. Nuk bën përjashtim Turqia, ndonëse pa tifozë, ndërsa luhet edhe në Indi, Oman, Vietnam, Malajzi, Indonezi, Australi, Zelandë të Re.

Në Hemisferën Perëndimore, aktive janë ligat në Meksikë, Amerikë Qendrore (Guatemalë, Kosta Rikë, Belize, Honduras, Nikaragua), po ashtu në Ekuador, Brazil, Bolivi, Kili dhe Argjentinë (me përjashtim të River Plejtit). Disa shtete e kanë përfunduar ligën ose nuk e kanë nisur ende sipas kalendarit, dhe këto janë vetë Kina, Afganistani, Pakistani, Papua Nju Guinea dhe Kanadaja. Kontinenti afrikan, ndërkaq, i ka ndërprerë ligat, por jo për koronavirusin, por sepse do të luhen ndeshjet eleminatore të Kupës së Afrikës 2021.

Sfidanti.al