Hajnkes shkëlqen pas eleminimit, me fjalët e tij të fundit

Jup Hajnkes do të jetë gjithnjë i njëjti, si atëherë kur shkëlqente në sulmin e Borusias së Mynshengladbahut, apo kur shkëlqente në stolin e skuadrave të shumta që drejtoi në karrierë. Ai shkëlqeu edhe pas eleminimit të Bajernit, në konferencën e tij të fundit si trajner Championsi.

“Nëse llogarit të dyja ndeshjet, ne ishim më të mirët, – tha gjermani i vendosur, – një dëshpërim i madh për ne, pasi sot i bëmë një reklamë futbollit, në nivel ndërkombëtar, dhe e kam fjalën për të dy ekipet. Reali duhet të falenderojë Kejlor Navasin që ishte spektakolar, dhe bëri pritje shumë të mëdha. Gjithsesi, golin për 2-1 e dhuruam vetë”.

“Ju e patë vetë sesi Reali në fushën e tij luajti me kundërsulm, – vazhdoi Hajnkesi, sulmin frontal, – kishte kohë që nuk shihja një Bajern kaq të madh. Shumë pak herë në Europë mund të shohësh një futboll të tillë”.

Më pas, me elegancë, por me vendosmëri foli për dëmtimet. “Na munguan shumë lojtarë, – u shpreh 72-vjeçari, – në ndeshjen e parë dolën nga loja, Boateng dhe Roben. Nuk është e lehtë të përballohet. Këtë herë na munguan 5 lojtarë të nivelit më të lartë, gjë që u pa edhe në fushë. Nuk dua të justifikohem”.

Në fund, një parashikim për finalen. “A është Madridi favorit? – u pyet trajneri i Bajernit, – nuk dimë kush do jetë finalisti tjetër. Duhet të presim Romën ose Liverpulin. Duket se Liverpuli ka më shumë shanse, dhe nëse ia del, do të jetë një kundërshtar shumë i vështirë”.

Sfidanti.al