Gomez i trembur nga tifozët e Anglisë, por kërkon të luajë me Kosovën!

Nuk ishin ditë të lehta për mbrojtësin e Liverpulit, që ndoshta mezi po pret që të kthehet në shtëpinë e tij në “Anfild”. Xho Gomez u përplas me Rahim Stërlingun, fillimisht në derbin ndaj Sitit, pastaj në grumbullimin e Anglisë, ndërsa provoi tronditje kur hyri në fushën e lojës për kombëtaren, dhe u vërshëllye nga një pjesë e tifozëve në “Uembli”. Trajneri Sauthgejt e aktivizoi si zëvendësues në fitoren 7-0 ndaj Malit të Zi, dhe pati mjaft tifozë kundër.

Burime nga ekipi i Anglisë thonë se Gomez është shumë i shqetësuar, por gjithsesi i ka kërkuar trajnerit që ta aktivizojë ndaj Kosovës, në ndeshjen e fundit eleminatore të Europianit, që do të luhet në Prishtinë. Jo vetëm kaq, por duket se Sauthgejti mund të aktivizojë nga minuta e parë, edhe Gomezin, edhe Stërlingun, pasi ata janë të freskët, dhe në këtë mënyrë të mbyllë historinë e sherrit. “Asnjë lojtar i Anglisë nuk duhet të ofendohet apo vërshëllehet në stadium”, – tha trajneri.

Sfidanti.al