Gjimshiti shpreson që ëndrra e Atalantës në Champions të mos ndërpritet!

Që nga gushti e deri tani gjithçka shkon shkëlqyeshëm. Berat Gjimshiti jo vetëm është titullar tek Atalanta, dhe ka ndihmuar në mbrojtje, por edhe ka shënuar, ndërsa synon vazhdimin e një sezoni të paharruar. Në përbërje të skuadrës italiane, ai është pjesë e edicionit debutues të Atalantës në Champions, ëndërr që vazhdon, dhe që sot do të ketë kënaqësinë e radhës, duelin ndaj Valencias në “San Siro”. Atalanta i mbijetoi grupit me Mançester Sitin, Shahtarin e Donjeckut dhe Dinamos së Zagrebit, ndërsa jepet si favorite kundër spanjollëve, të paktën për ndeshjen e parë në shtëpi.

“Natyrisht, pas fitores me Shahtarin, ne mezi po e prisnim këtë ndeshje, – tha trajneri Gasperini, – ja ku erdhi. Jemi në një moment të mirë, ka shumë entuziazëm në skuadër dhe tek tifozët, si dhe pritshmëri të madhe. Na mbetet vetëm që të luajmë siç duhet”.

Trajneri bergamask thotë se fitorja e së shtunës në Serinë A ndaj Romës e ka rritur edhe më shumë entuziazmin, ndërsa Atalanta mund të kualifikohet sërish në Champions nga kampionati, pavarësisht se çfarë ndodh ndaj Valencias. Italianët nuk kanë mungesa, me Gjimshitin që pritet të jetë në formacion, ashtu si lojtarët ofensivë, Muriel, Zapata dhe Iliçiç, që kanë shënuar më shumë gola se të gjithë në Serinë A.

Valencia, gjithsesi, nuk vjen në Milano për të humbur. Spanjollët u nisën me shpresë, edhe pse kanë probleme.  Dy mbrojtësit e qendrës, Garai dhe Paulista nuk luajnë, ndërsa ka dyshime për sulmuesin Rodrigo Moreno dhe mesfushorin Kokelen. Tifozët spanjollë, megjithatë, u nisën në numër të madh drejt Italisë për të mbështetur ekipin e tyre, që ka dalë dy herë më parë në finalen e Championsit.

Sfidanti.al