Gatuzo pranon se meritoi të humbiste, Venger s’di të mbrohet

Xhenaro Gatuzo dhe Arsen Venger dhanë që të dy versionet e tyre për duelin e “San Siros” dhe ishin në një mendje në një pikë: Arsenali e meritoi fitoren. “Arsenali e meritoi fitoren, ndërsa ne nuk luajtëm aspak si skuadër, – u shpreh ai, – mund të bënim diçka më shumë, por nuk ia dolëm. Nuk luajtëm për asnjë moment si skuadër, veçse Liga e Europës është diçka e re për lojtarët e mi. Një humbje që do të na shërbejë”.

Po Venger? “Është e rëndësishme që të fitosh, – u shpreh francezi, – sidomos pas një jave kaq të vështirë që patëm. Nuk është ende një kualifikim, pasi duhet ta përfundojmë punën në shtëpi. Jam i lumtur me frymën e skuadrës dhe përgjigjen që dha ajo. Ne nuk ishim në pozicionin më të mirë për të ndërmarrë rreziqe, por as nuk mund të tregoheshim shumë të kujdesshëm, sepse kjo do të na prishte rrjedhshmërinë e lojës”.

Çfarë pritet në ndeshjen e dytë në “Emirejts”? Gatuzo nuk ka asnjë dyshim. “Nuk do të shkojmë në Londër për turizëm, – theksoi fort trajneri i Milanit, – kemi një fanelë për të nderuar dhe duhet të japim maksimumin. Do të jemi atje për të tentuar kualifikimin, pasi në futboll nuk mund të flasësh kurrë para kohe”. Po Venger? “Na u desh kohë për të marrë veten, por ia dolëm, – tha ai, – kur humb një finale kupe, je si një boksier i rrëzuar përtokë, dhe nuk ke kohë të reagosh, por krenaria dhe cilësia jonë bënë diferencën”.

Sfidanti.al