Gatuzo ka fjalë “ari” për Hysajn: Pak më të mirë se ai në rolin e tij!

Periudha e vështirë duket se kaloi. Pas shkëlqimit me Mauricio Sarrin, dhe kalvarit me Karlo Ançelotin, Elseid Hysaj duket se është gati të nisë një etapë të re të karrierës tek Napoli. Është vetë trajneri Xhenaro Gatuzo që ka shprehur fjalë të larta vlerësimi për mbrojtësin e kombëtares shqiptare, vetëm pak javë pasi ka nisur ta stërvisë.

Mediat italiane raportojnë se Gatuzo është shprehur se shumë pak lojtarë janë më të mirë sesa 25-vjeçari në rolin e tij, atë të mbrojtësit të djathtë. “Është e lehtë të themi se mund të marrim një tjetër, – u shpreh trajneri, kur u pyet nëse Hysaj do të largohet, – por, ne kemi lojë kolektive, dhe më të mirë se ai ka shumë pak në interpretimin e këtij roli. Ai është gjithnjë gati. Është përshtatur mirë sepse prej shumë vitesh luan në një mbrojtje me 4, siç e kemi ne, dhe po luan shumë mirë”.

Kjo do të thotë se Hysaj do të ketë rast të luajë shpesh me teknikun e ri, ndërsa me Ançelotin u aktivizua vetëm 5 herë këtë sezon. U fol shumë për një largim të mundshëm të kapitenit të kombëtares shqiptare tani në janar, por kjo vlente më shumë nëse do të vazhdonte Ançeloti në stol. Aktualisht, Hysaj po aktivizohet dhe po luan mirë, ndaj nuk duket e arsyeshme që ai të kërkojë ndryshim skuadre.

Sfidanti.al