Futbolli i rrënuar dhimbshëm i një Federate të pavdekshme…

E keni vënë re që futbiollit të vendit i është mbaruar edhe propaganda, ose më mirë të themi që nuk është më aq e paturp sa më parë? Arsyeja është se ka arritur ndoshta në pikën më të ulët të historisë dhe tashmë është e pamundur ta shpëtojnë me fjalë. Për ta nisur nga të zakonshmet, ashtu siç është bërë traditë në edicionet e fundit, nuk janë më as dhjetë skuadra që konkurojnë në Kategorinë Superiore, pasi Kastrioti të jep përshtypjen se do të jetë një pasardhëse e denjë e Tërbunit, Korabit, apo Lushnjes së vitit të shkuar. Ndërsa Kamza ka javë që drejtohet me delir, Tirana është kthyer sërish si të ishte fotokopje e asaj që për herë të parë në histori, u rrëzua një kategori më poshtë. Tani ndoshta edhe më keq, pasi po merr goditje të njëpasnjëshme, madje të gjitha bashkë i kanë sjellë një gjendje “knock doën” që mund ta rrëzojë sërish. Skuadra që e prezanton në fushë është fare e zakonshme, ndoshta që stonon me uniformën, ndërkohë që një pjesë e tifozëve që janë kundër drejtuesve janë bërë shumë agresivë dhe ka gjasa që të dënojnë edhe pjesën tjetër, duke e lënë ekipin vetëm, në këtë përiudhë kur më shumë se kurrë ka nevojë për mbështetje. Ndërsa UEFA, pikërisht tani kur klubi bardheblu po kalon një situatë të pafavorshme financiare, ia hoqi përfundimisht të drejtën e tërheqjes së bonusit prej 215 eurosh, nga pjesmarrja në aktivitetet e saj.
Ndërsa problemet e këtij futbolli të zymtë janë edhe më të mëdha se kaq, pasi edhe Federata duket se nuk e ka më nën kontroll aktivitetin e saj. Në prag të fillimit të sezonit kanë liçensuar lloj-lloj terrenesh, duke përdorur hilenë e zakonshme, për ta nisur e mbyllur sa më shpejt kampionatin, nga i cili prej kohësh nuk i intereson më gara, por vetëm përfundimi. Dhe tani nuk i kanë mbetur më as stadiume, madje edhe ato që janë improvizuar për Superioren po shfrytëzohen barbarisht. Në Fushë-Krujë, për pesë ditë do të luhen tre ndeshje, po ashtu edhe në “Selman Stërmasi”. Por për drejtuesit e FSHF-së një gjë e tillë nuk përbën ndonjë problem të mdh, pavarësisht se tregon degradimin e dhimbshëm të futbollit të vendit. Rimbursimi i TVSH-së prej 2 milionë eurosh nga shteti, për punimet në “Qemal Stafa” është padyshim problem më i madh… Këtu flitet për para. Dhe për ta mbyllur vitin ashtu siç u ka hije, në fund do të njihen edhe me një dënim të mundshëm të Skënderbeut, kampionëve tanë, dhe instiktivisht të lind pyetja: Çfarë lloj futbolli është ky që drejtojnë këta dhe që mbi të gjitha i ka kthyer në të pavdekshëm?

sfidanti.al