Furtunë mbi Partizanin e ndryshuar, kur FSHF i tregon dhëmbët edhe heshtjes

Edhe të kalosh nga një ekstrem në një tjetër, nuk është se vlen aq sa për të fituar respektin e dikujt që nuk e ka pasur asnjëherë. Komisioni i Disiplinës në FSHF ka shkarkuar edhe këtë sezon mbi Partizanin, pas incidenteve në ndeshjet ndaj Laçit, duke dënuar me katër javë Bruno Telushin dhe dy javë Skënder Gegën, kështu që të dy personazhet e klubit të kuq do të humbasin edhe derbin e fundit të sezonit. Motivacioni është pothuajse i njëjtë, si për futbollistin edhe trajnerin: Për protesta ndaj zyrtarit të ndeshjes. Ndërkohë që Partizani, i gjithi si klub, prej kohësh ka ndërruar sjellje, duke u shfiguruar në një farë mënyre. Nuk është ajo skuadra agresive që kishte vendosur të reagonte ashpër ndaj çdo padrejtësie, duke u kthyer në një simbol qëndrese në këtë futboll arrogant qokash. Madje, kjo qetësi që po reflekton këtë edicion, ka ndërruar edhe opinionin e publikun, i cili ka filluar të vlerësojë në masë, se nëse ke vendosur që dikur të fitosh, mund të fitosh vetëm kështu. Por Komisioni i rrugës së Elbasanit nuk është shquar ndonjëherë për etikë, madje standarti i tij është i pandryshueshëm: Dënohet më lehtësisht ai që reagon më pak. Dhe kështu që në fund vendosi për “penallti” edhe për vetë trajnerin Gega, i cili ka treguar vetëm tolerancë dhe “fair play” që në ditën e parë kur u ul në pankinën e Partizanit… madje me tepri.
Dhe ai që të bën më shumë përshtypje është fakti, që klubi i ka pranuar me një sportivitet të habitshëm dënimet, që më shumë se penalitet në këtë fazë të këtij kampionati të mbyllur, ishin një fyerje. Partizani ka vendosur heshtje shtypi, pra për të mos i dhënë mundësinë askujt të reagojë. E pra flitej për dënime që erdhën pas reagimesh mëse normale gjatë një ndeshje futbolli dhe që u trajtuan si “akte terroriste”, ndërkohë që skuadra e Gegës ka një transfertë të vështirë në Vlorë dhe dikush është gjithmonë i detyruar, që nëpërmjet shtypit të informojë publikun e gjerë që e mbështet. Ky Partizan i heshtur do të jetë kampioni i ri i futbollit shqiptar, ndërsa Partizani i vjetshëm që refuzonte arrogancën e drejtuesve të Federatës do të mbetet më fituesi.