Franca në finale, “gjelat” presin Anglinë ose Kroacinë në Moskë!

Favoritja është një hap larg titullit. Franca respektoi parashikimet, mundi minimalisht Belgjikën dhe u kualifikua me meritë për në finalen e Kupës së Botës në Rusi. Në sfidën, me shumë gjasë, më të fortë të Botërorit, mbijetuan blutë, falë një goli të shënuar nga mbrojtësi Samuel Ymtiti.

Përballja ishte tepër e fortë, një nga ndeshjet më të bukura të turneut, edhe pse u shënua vetëm një herë. Në një krah superyje si Joris, Varan, Pogba, Mbape apo Grizman, në krahun tjetër Kurtua, Kompani, Hazar, De Brujn apo Lukaku. Rastet ishin të shumta, edhe nga francezët, edhe nga belgët, ndërsa shkëlqyen dy portierët, Joris e Kurtua.

Përse ia doli Franca? Besohet, sepse pati më shumë pjekuri, por edhe sepse në një sfidë mes dy ekipeve thuajse të barabartë, fitoi ambicia më e madhe e një kombi më të madh. Një ambicie që dikur i ka dhënë tituj Brazilit, Gjermanisë apo Italisë, edhe kur kanë qenë baraz apo edhe më keq se rivalët.

Kënaqësi të shohësh në finale këtë Francë, edhe pse nuk na dha shumë kënaqësi në fazën e grupeve. Mëkat që largohet skuadra ndoshta më spektakolare e Botërorit, por që tregoi një kompleks të qartë inferioriteti në çerekfinalen ndaj Brazilit.

Në fund të fundit, vetëm një ekip do të shkonte në finale, dhe ky ishte me meritë ai francez. Gjysmën e enigmës e zbuluam, ndërsa gjysma tjetër do të zbulohet pas gjysmëfinales Angli-Kroaci.

Sfidanti.al