Flamurtari ndalon tifozët, kërcënon Superligën: Nuk paguajmë 50 roje private të sigurisë!

Mund të jetë hera e parë në Shqipëri. Stadiumi i Vlorës u bë precedent në Superligë, duke u mbyllur për tifozët, por jo pas ndonjë dënimi nga ana e Federatës. Vendimi për të mos lejuar tifozët të hynin në impiant, për ndeshjen ndaj Laçit, u mor nga administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, i cili deklaroi se iu kërkua që të paguante 50 roje private për të garantuar sigurinë.

Numri 1 i klubit vlonjat u shpreh se nuk ka ndërmend të shpenzojë për 50 roje private, ndërsa paralajmëroi se nuk do të lejonte që Flamurtari të luante në ndeshjet jashtë fushe, nëse klubet pritëse nuk do të kishin 50 forca të sigurisë. Idrizi kishte deklaruar që më parë se do ta mbyllte stadiumin dhe përfundimisht e bëri diçka të tillë.

Për klubin vlonjat është humbje financiare mungesa e tifozëve, por administratori gjykon se duhen përcaktuar rregullat e lojës përpara sesa të investohet dhe të ecet përpara në futboll. Shpresa e Idrizit është miratimi i paketës ligjore për sportin nga ana qeverisë, e cila do të nxiste biznesmenët që të hidhnin para në futboll.

Sfidanti.al