Federata si një shtet paralel, gjoba shumëmilionëshe kush shkel në “Air Albania”

Në këtë vend, duket se kushdo ka tagrin për të hartuar ligje në mënyrë të pavarur, madje edhe nga ato që parashikojnë ndëshkime të ashpra. Pikërisht e gjithë kjo situatë, na ka bërë që prej kohësh të jetojmë me një ligj të përbashkët, atë të kaosit, që do të thotë, se kush është i fortë mund të sundojë si në mesjetë. Pas incidenteve në një ndeshje të luajtur në Kamëz, drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit kërkuan ndihmën e shtetit, për të ndërhyrë në parandalimin e dhunës në stadiumet tona. Pas një takimi ku të gjithë të pranishmit nuk fshehnin dot trishtimin për çka i kishte ndodhur një arbitri, kryeministri i vendit nuk u vonua, por propozoi disa ndryshime në kodin penal, të cilat më pas, sigurisht që u miratuan pa probleme edhe në parlament. Kështu që prej muajsh, çdo tifoz, nëse nuk i disiplinon dot emocionet në shkallët e stadiumeve, tashmë do të jetë i detyruar të përballet me masa shumë të ashpra që parashikojnë deri në heqje të lirisë.

Veprimet e shpejta të Edi Ramës u përshëndetën me entuziazëm nga Federata e Dukës, madje edhe ata në krahun tjetër të fushës tentuan të tregoheshin po aq të shpejtë, duke publikuar fillimisht një listë me emra qytetarësh, të cilët nuk duhet të hynin më në asnjë stadium të vendit. Ndërsa për të treguar se sa i sofistikuar ishte stadium i ri i ndërtuar në vend të “Qemal Stafës”, u publikuan foto e video tifozësh që dëmtonin stolat, si dhe u bë i ditur një çmim ekstravagant për secilën ndenjëse. Dhe konkluzioni i gjithë kësaj rrëmuje ishte, se tashmë mori fund epoka e dënimeve kolektive të praktikuara deri tani nga Komisioni i Disiplinës. Në fakt, tani sapo ka filluar një periudhë e re zhvatje dhe për të rritur sensibilitetin e njerëzve përdoret si fasadë mbrojtëse emri i stadiumit të ri. Vetëm për disa ditë, klubi i Tiranës, për veprime të një numri shumë të kufizuar tifozësh është dënuar me gjoba që arrijnë shifrën e 10 milionë lekëve të vjetra, ndërkohë që çeku i ndëshkimeve për të gjitha klubet (organizatore, ose jo të ndeshjeve), arriti në 17 milionë lekë. Ndërkohë që të gjithë janë urdhëruar të paguajnë edhe për dëmtimet e stadiumit, duke marrë kështu dy dënime njëherësh, për të njëjtën vepër. Pradoksi është, se vetë shteti ka publikuar gjatë kësaj jave sportive komunikata, ku informon publikun se janë identifikuar dëmtuesit, madje ka pasur edhe ndalime tifozësh, ekzaktësisht sipas ndryshimeve ligjore që u bënë me iniciativën e kryeministrit. Ndërkohë, në Federatë ekziston një shtet paralel, me kryeministër Dukën, i cili ka hartuar edhe një Kod Penal privat… ndërsa klubet janë Liga, që mblidhet herë pas here për ndonjë kafe në qendrën tregëtare “Air Albania”.