Euro 2020: Anglia e Franca, të frikshme, Turqia nuk fal!

Anglia mund të quhet skuadra më e mirë e Europës në këtë moment (gjithnjë, nëse bie dakord Franca), dhe të besuarit e trajnerit Garet Sauthgejt arritën një tjetër fitore të madhe. Ia dolën 5-1 në stadiumin e Podgoricës ndaj Malit të Zi vendas, edhe pse u ndodhën në dizavantazh shumë shpejt. Marko Veshoviç kaloi vendasit në epërsi që në minutën e 17-të, por kjo shërbeu më shumë si zgjim për anglezët.

Majkëll Kin, Ros Barkli dy herë, Harri Kejn dhe Rahim Stërling ishin autorët e golave për “shpikësit e futbollit” që janë në krye të grupit eleminator A të Europianit, me 6 pikë dhe me golaverazhin e madh 10-1. Ndeshjen e parë, në “Uembli”, e fituan 5-0 ndaj Republikës Çeke.  Në po këtë grup, Kosova barazoi 1-1 me Bullgarinë, pas golave të Bozhilovit dhe Arbër Zenelit.

Franca e pati fillimisht të vështirë, por pastaj ia mori dorën Islandës, duke e mundur 4-0. Në “Stad dë Frans”, kampionët e botës ishin impresionues me golat e shënuar nga Samuel Ymtiti në 12’, Olivie Zhiru në 68’, Kilian Mbape në 78’ dhe Antuan Grizman në 84’. Trajneri Deshamp pati në fushë yje të shumtë, sepse përveç shënuesve, ishin edhe Joris, Varan, Pavar, Kante, Pogba e Matyidi, ndërsa në pjesën e dytë u aktivizuan edhe Kimpembe, Lemar e Sisoko.

Francezët janë në krye të grupit H, me 6 pikë në dy ndeshje, po aq sa Turqia. Skuadra e trajnerit Shenol Gynesh, pas suksesit 2-0 në Shkodër, fitoi 4-0 ndaj Moldovës. Hasan Ali Kaldërëm, Xhenk Tosun, sërish Xhenk Tosun dhe Kaan Ajhan shënuan golat në stadiumin e Eskishehirit, ndërsa Burak Jilmaz humbi 11-metërsh.

Në grupin B, Portugalia dhe Serbia u ndanë në barazim 1-1, në një ndeshje ku Kristiano Ronaldo doli i dëmtuar nga loja. Ukraina fitoi në sekondat e fundit në Luksemburg, 2-1, pasi u ndodh në humbje pas golit të Turpelit në 36’. Cigankov barazoi, dhe autogoli i Rodrigezit i dha fitoren miqve.

Grupi A: Mali i Zi-Angli 1-5, Kosovë-Bullgari 1-1. Anglia 6 pikë, Bullgaria 2, Kosova 1, Mali i Zi 1, Republika Çeke 0.

Grupi B: Portugali-Serbi 1-1, Luksemburg-Ukrainë 1-2. Ukraina 4, Luksemburgu 3, Portugalia 2, Serbia 1, Lituania 0.

Grupi H: Francë-Islandë 4-0, Turqi-Moldovë 4-0, Andorrë-Shqipëri 0-3. Franca 6, Turqia 6, Shqipëria 3, Islanda 3, Andorra 0, Moldova 0.

Sfidanti.al