Duka i merr punën edhe servilëve, e vendos vetë cilësinë e kampionatit

“Ky është kampionati më i mirë i viteve të fundit”, ishte një shprehje e bezdisshme që stampohej në çdo fillim sezoni futbollistik dhe më pas shpërndahej për publikun javë pas jave. Por nuk mund të thuash se ishte një shprehje e shëmtuar, vetëm për faktin se kishim filluar të mësoheshim me timbrin që na trokiste në vesh… Kjo ishte thjeshtë një sajesë shërbëtorësh, e neveritshme sigurisht, por vetëm kaq. Ndërsa tani, pas një degradimi epic edhe vetë sejmenët më të devotshëm kanë ndroje ta artikulojnë shprehjen e famshme, që prej kohësh ishte kthyer në “hit”, por sidoqoftë nuk u la pa thënë. Në një prej daljeve të njëpasnjëshme në ekranet e televizioneve, vetë “Duka” i futbollit, deklaroi pa iu dridhur zëri, madje me një buzëqeshje që dukej më shumë si përzierje ironie me arogancë, se kampionati i sivjetshëm ishte më i fortë se ai i një viti më parë. Sipas tij, kur Partizani fitoi titullin e munguar prej më shumë se çerek shekulli, në garë ishin vetëm 2-3 skuadra, ndërsa tani, nëse skuadra e kuqe kërkon ta përsërisë suksesin do të ketë jo më pak se shtatë rivalë të uritur.

Dhe kjo është vërtetë aq shumë ironike, saqë më mirë ta kishim dëgjuar nga shërbëtorët e përhershëm. Nuk ka se si të kapërdihet kur thuhet nga kontrollori i pagabueshëm i cilësisë. Ky në fakt është një futboll që deri tani e kanë ndjekur me entuziazëm vetëm njerëzit e derbit, ndërsa të tjerët e kanë refuzuar prej kohësh. Ndër dhjetë skuadrat që e përbëjnë këtë Superioren tonë mjerane, 2-3 janë të falimentuara dhe qëndrojnë në garë vetëm për hir të kësaj Shoqërie Sportive “Duka”, e cila prej kohësh mbretëron në futbollin e vendit. Dhe gjëja më e frikshme është, se presidenti i madh nuk ka më nevojë as për sejmenë, pasi tani beson se mund t’i bjerë më shkurt, duke bërë vetshërbim. Tani është shërbëtori i vetvetes dhe mirë që shkatërroi me vullnet të plotë futbollin, por tani po lë pa punë edhe servilët e tij të mjerë, me të cilët prej kohësh ishim mësuar, sikur t’i kishim njerëz të familjes.