Do të jetë vërtet kështu sezoni? Përse Siti shkatërroi Realin 4-1?!

Asnjëri prej ekipeve nuk ishte i plotë, ndërsa zëvendësimet rrodhën “lumë”. Ishte një ndeshje vere, për një trofe “vape”, dhe një spektakël më shumë për të kolauduar përgatitjet dhe për të rritur biznesin në SHBA. Gjithsesi, kur Reali i Madridit mundet 1-4, gjithmonë ka një tronditje dhe bëhet një pyetje: Si do të jetë sezoni për “merengesit”? Ishte Mançester Siti i Pep Guardiolës që triumfoi në sytë e 93 000 spektatorëve në “Koliseum” të Los Anxhelosit.

Ishte numri më i madh i tifozëve për një ndeshje futbolli në këtë stadium dhe ishte një fitore shumë e ëmbël për ish-trajnerin e Barcelonës, që padyshim e quan gjithnjë derbi kur ndeshet me Realin. Pas gati 250 milionë eurove të shpenzuara vetëm këtë stinë, Pep duket se po krijon skuadrën që do. Ederson në portë, Kompani, Stouns, Otamendi në mbrojtje, pastaj Uolker, De Brujn Ture, Foden dhe Danilo në mesfushën me 5 lojtarë, si dhe Gabriel Zhezus e Sergio Aguero në sulm.

Zidanit i mungonin disa yje, Ronaldo, Ramos (në stol) e Kros (në stol) nuk janë pak, por gjithsesi në fushë ishin të tjerët si Navas, Karvahal, Varan, Marselo, Naço, Kasemiro, Modriç, Isko, Benzema e Bejl.

Pas një pjese të parë pa gola, “festivali” erdhi në të dytën me Sitin që arriti në 4-0, me rrjetat e Agueros, Otamendit, Stërlingut dhe Stounsit, ndërsa Diaz ishte autori i vetëm për madrilenët. De Brujn u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes, ndërsa Mançester Siti padyshim është më përpara me përgatitje sesa Reali, pasi Premier Liga fillon më shpejt se La Liga. Gjithsesi, ky mund të quhet një ogur i mirë për Guardiolën, që është në provë për të arritur lavdinë këtë edicion, fitoren e kampionatit anglez dhe të Championsit.

Sfidanti.al