De Laurentis, jo gjithkush tek Napoli mund të jetë një Maradonë!

Karlo Ançeloti duket i mërzitur që nuk po ia del dot të luftojë për titullin kampion, Lorenco Insinje ngjan i dëshpëruar që ndodhet në Napoli, ndërsa Aurelio De Laurentis duket i lodhur në përpjekjen titanike për të ndërtuar një klub të madh, në një qytet jo aq global sa Madridi e Londra, apo jo aq kryeqendër italiane, si Milano e Torino.

Presidenti napolitan dha disa përgjigje për mediat, i detyruar pas spekullimeve (apo të vërtetave) të kohëve të fundit. Mos është zënë ai me Ançelotin? “Ç’janë këto budallallëqe, – thotë bosi i klubit, – trajneri mund të rrijë 10 vjet. Unë ndërtoj relata afatgjatë, ashtu si në kinema”. Po Lorenco Insinje çfarë ka që grindet me Ançelotin?

“Insinje ka një problem që nuk mund t’ia zgjidhë as De Laurentis, as Ançeloti dhe as Raiola, – ishte përgjigja e presidentit, – ai duhet të gjejë se çfarë duhet të bëjë tani që është i rritur. Është lojtar i shkëlqyer, por kurrë nuk është ndier mirë në Napoli. Duhet të qetësohet, pasi trajneri nuk ka inat me të, trajneri ka trefishin e moshës së tij”. Hall i madh është të jesh president i Napolit dhe t’u japësh shpresë tifozëve se mund të dalësh kampion. Ja përse Diego Armando Maradona mbetet legjenda më e madhe, sepse ai bëri realitet, atë që ishte e pamundur.

Sfidanti.al