Çelsi-Liverpul, pritet spektakël në Londër për Kupën e Anglisë!

Do të luhet sonte dhe pritet të jetë e fortë. Një Çelsi-Liverpul është gjithnjë një sfidë e madhe, dhe e tillë do të luhet edhe kjo e turit të pestë të Kupës së Anglisë në stadiumin “Stemford Brixh”. Kryesuesit e Premier Ligës, që kanë bilanc pozitiv me blutë e Londrës këtë sezon, deri tani, synojnë të luftojnë edhe për një trofe të tretë, ndërsa janë pranë titullit kampion, si dhe janë ende në garë në Champions. Gjithsesi, të besuarit e trajnerit Jurgen Klop duhet të dinë të lenë pas humbjen e papritur dhe shumë të rëndë të fundjavës së kaluar, 0-3 në fushën e Uatfordit në Premier Ligë.

“Është e qartë se djemtë e mi duan të reagojnë, – u shpreh Klopi, – humbja nuk i pëlqen askujt, por ne duam që të vazhdojmë të luajmë si më parë dhe të fitojmë. E dimë se do të jetë shumë e vështirë, si gjithmonë. Kupa e Anglisë është trofe i rëndësishëm, pavarësisht synimeve tona në kampionat dhe në Champions. Ne duam të japim 100 për qind”.

Çelsi, ndërkaq, është në moment të vështirë, pas një fillimi të mirë të vitit sportiv. Humbja në shtëpi me Bajernin në Champions, me shifrat 0-3, e ka tronditur jo pak besimin, ndërsa edhe në Angli gjërat nuk po ecin shumë mirë dhe rrezikohet kualifikimi i ardhshëm në Ligën e Kampionëve. Trajneri Frenk Lampard, mbetet me besim, ndonëse bën një paralajmërim.

“Nuk më gënjen mendja se është e lehtë të fitosh ndaj Liverpulit, – ishin fjalët e tij, – kundërshtari u tregua human për një ndeshje të vetme dhe humbi në Uatford, por unë pres që të kemi përballë Liverpulin e zakonshëm. Humbjet janë gjëra që ndodhin në Premier Ligë, dhe sonte mund të kemi çfarëdo rezultati. Secila skuadër mund të fitojë. Duam të tregojmë se dimë të përballojmë ndeshjet e mëdha, pavarësisht nga humbja me Bajernin”.

Në një përpjekje për të rritur moralin, klubi londinez publikoi pamjet e fitores që Çelsi arriti ndaj Liverpulit në finales e Kupës së Anglisë në vitin 2012 në “Uembli”.

Sfidanti.al