Bertoni, “Pirlo” i Sudtirolit, që është i tepërt edhe në Bolzano

Në Itali vazhdojnë të këmbëngulin, se Luka Bertoni ishte një investim i mirë për Partizanin në Tiranë, por që nuk u vlerësua nga skuadra kryeqytetase e vendit fqinj. Futbollisti mbërriti tek të kuqtë, si një fantazist që i mungonte dhe që do të ndihmonte ta shtynte skuadrën përpara, pasi në mesfushë, Partizani është i populluar nga lojtarë me tipare mbrojtëse. Por sa herë që iu dha rasti, nuk mundi të bënte diferencën dhe u kthye sërish në Itali, ku po pret merkaton e janarit, për të gjetur një tjetër skuadër.

Sipas klubit Sudtirol që e ka në pronësi, Partizani ka humbur një “Pirlo të ri” dhe mesfushori i tyre së fundi ka pasur shumë oferta nga klube të tjera të Lega Pro, në kategorinë inferiore italiane. Madje sipas tyre, Bertoni mund të qëndronte shumë mirë edhe në skuadrën që posedon kartonin  e tij, por në atë pozicion janë edhe fy futbollistë të tjerë, me të njëjtat karakteristika, si të 24 vjeçarit të larguar nga Partizani. Pra, skuadra nga Bolzano, që në Lega Pro/A mban vendin e 12-të, me 14 pikë të grumbulluara, plotë 15 pikë më pak se Venecia kryesuese, paska në përbërje edhe dy “Pirlo” të tjerë, veç atij që huazoi në Shqipëri.