Bartomeu del ballëhapur: Mesi e fitoi vetë lirinë për të ardhmen!

Ka disa kode morale, të pashkruara, që tregojnë sesi duhet të sillet njeriu “siç duhet”. Zhozep Maria Bartomeu mund të mos ketë marrëdhënie shumë të mira me Lionel Mesin, por as nuk mund të gënjejë veten për relatat që duhet të ketë me kapitenin. Presidenti i Barcelonës nuk ngurroi të pohonte ballëhapur (dhe, besohet, me të drejtë), se kontrata që i jep liri për të ardhmen Lionel Mesit ishte diçka e detyruar.

“Mesi e ka fituar vetë lirinë e tij, e ka merituar atë klauzolë në kontratë që të largohet kur të ketë dëshirë, – tha numri 1 katalanas, – ajo që ai ka bërë për Barcelonën është e jashtëzakonshme, ndaj edhe ai e ka fituar të drejtën që të ketë një trajtim të jashtëzakonshëm”. Ky trajtim përfshin edhe rrogën si lojtari më i paguar në botë, gjë që Bartomeu e kishte të qartë që duhej ta pranonte. Mungesa e një rroge të tillë ishte arsyeja që Kristiano Ronaldo u largua nga Reali i Madridit.

Sfidanti.al