Barcelona nuk ia del në Bilbao as me dy lojtarë tepër!

Kupa e Mbretit nuk është një dëshirë e pamundur për Barcelonën, por ajo që i ndodhi në fushën e Bilbaos nuk është se i jep shumë moral. Skuadra katalanase, fituese në fuqi e trofeut, u mposht 1-2 në “San Mames”, duke u ndodhur në dy gola dizavantazh dhe duke mos shfrytëzuar dot aspak epërsinë e dy lojtarëve që nga minuta e 74-ët. Ariz Aduriz në 25’ dhe Injaki Uilliams në 28’ shënuan dy gola shpejt e shpejt për baskët.

Për fatin e Barçës, në fushë ishte Lionel Mesi që shënoi golin e tij të parë për vitij 2017, që në ndeshjen e parë. Ishte minuta e 52-të dhe skuadra e Luis Enrikes bëri gjithçka të paktën për të barazuar, por nuk ia doli. Kjo, edhe kur në 74’ Raul Garsia doli me karton të kuq për Atletikun, ndërsa në minutën e 81-të atë e shoqëroi edhe Ander Iturraspe. Kështu, nisi me disfatë gjysma e dytë e sezonit për kampionët e Spanjës, që vazhdojnë të tregojnë se nuk janë ata të vitit të kaluar, edhe pse rezultati 1-2 mund të përmbyset në ndeshjen e dytë të të tetave të finaleve në “Kamp Nou”.