Bajerni “e djeg” festën në Mynih, në Gjermani presin epokën e re të artë!

Thuhet se fitoret zakonisht fillojnë pa nisur ndeshja. Me gjasë, kështu duhet të ketë qenë edhe për Bajernin, që u përgatit për triumfin që kur dy autobusët po e sillnin skuadrën në “Estadio da Luz”, për finalen ndaj Paris SG. Një brez i madh, me shumicën e lojtarëve ende të rinj, nisi një cikël që nuk pati nevojë për shtysën e revanshit për të fituar, siç ndodhi në 2001 apo 2013. Ndoshta, këta do të jenë autorët e epokës së dytë të artë, pas asaj të Bekenbauerit, Mylerit dhe Majerit.

Festimet e bavarezëve nuk ishin me harbimin e së kaluarës, por sërish ishte një gëzim i madh. Futbollistët, stafi teknik, drejtuesit dhe çdo njeri që punon me ekipin nuk i përmbajtën dot emocionet e ligjshme. Shefi ekzekutiv, Karl-Hajnc Rumenige, mbajti fjalën si i zoti i shtëpisë. “Përgëzimet më të mira nga klubi dhe nga unë personalisht, – u shpreh njeriu më i fuqishëm në klub, – kjo ishte një arritje e madhe, nga më të mëdhatë në historinë e klubit tonë. Ju bëtë të lumtur tifozët dhe nderuar traditën e Bajernit. Jemi që të gjithë të lumtur që zgjodhëm Hansi Flikun si trajner dhe i besuam atij. Ai e shpërbleu 100-fish besimin tonë”.

Me Flikun, Bajerni fitoi 33 nga 36 ndeshje, dhe arriti në finalen e së dielës me një seri prej 20 fitoresh radhazi. “Jam krenar për skuadrën time, – ishin fjalët e trajnerit, – në nëntor gazetat thoshin se askush nuk kishte më frikë nga Bajerni, por tani është ndryshe. Udhëtimi ynë ka qenë një çmenduri. Mendoj se e merituam fitoren për atë që bëmë në pjesën e dytë”.

“Bajerni, Mbreti i Europës, – titullon tabloidi “Bild”, që shkruan se goli i Kumanit dha fitoren e madhe, – fitues i trefishtë, fitues i trefishtë, hej, hej!

Revista “Kiker” raporton fjalët e ish-trajnerit Otmar Hicfeld, fitues i Championsit në 2001, që parashikon se Bajerni ka hedhur bazat për një epokë të re të artë të klubit!

Revista tjetër, “Sport Bild”: “Mbreti Kingsli! Magjiku Manu! Triumf i trefishtë! Fjala është për shënuesin e golit, Koman, dhe për portierin Nojer, që shkëlqeu me pritjet e tij.

Kingsli Koman u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes, duke qenë edhe autori i golit të fitores, dhe pas ndeshjes falenderoj trajnerin Flik që i dha mundësinë për të luajtur titullar. Manuel Nojer mori Championsin e dytë në karrierë, një më pak se portieri legjendar Zep Majer, ndërsa u vlerësua si një nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohëve. Jo më kot, pasi ai bëri disa pritje vendimtare.

Bajerni u bë e para skuadër që merr kupën duke fituar të gjitha ndeshjet, këtë herë 11, ndërsa u bë e treta në histori që arrin 500 gola në Ligën e Kampionëve, pas Realit që ka 567 dhe Barcelonës me 517. Kjo ishte hera e dytë që skuadra bavareze arrinte fitoren e trefishtë, pra të plotën në një sezon, Championsin, Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë. Hera e parë ishte në 2013, kur nën drejtimin e trajnerit Jup Hajnkes u realizua triumfi i plotë.

Sfidanti.al