Ardian Ismajli, gjashtë herë në formacionin e javës në ligën e Kroacisë!

Duhet të krenohemi me të. Ardian Ismajli është një nga lojtarët më të mirë të Hajdukut, gjatë këtij sezoni në Ligën e Parë të Kroacisë. Mbrojtësi i kombëtares shkëlqeu edhe në ndeshjen e fituar 3-2 ndaj Inter-Zapreshiqit në stadiumin “Poljud” të Splitit. Media kroate, Telesport e vlerëson lart 22-vjeçarin me origjinë nga Vushtrria, duke e vendosur për herë të gjashtë në formacionin e javës të kampionatit kroat.

Komenti i Telesportit ishte i qartë: i saktë në pasime, sidomos në atë për golin e parë, një gjuajtje në kuadratin e portës, fitues i shumicës së dueleve, si dhe i zoti në mbrojtje dhe në driblim. Ismajli e nisi sezonin pa ndonjë vlerësi shumë të madh, por pak nga pak u bë lojtar formacion dhe tepër i rëndësishëm për Hajdukun. Falë edhe ndihmës së tij, skuadra më e vjetër e Kroacisë është ngjitur në vendin e katërt në renditje, me synim për t’u kualifikuar për në Ligën e Europës.

Në formacionin e javës edhe një shqiptar tjetër, lojtari i përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani. Ish-mbrojtësi i Partizanit në Superligën shqiptare, arriti madje që të shënonte gol, në fitoren e Dinamos së Zagrebit, në derbin e kryeqytetit ndaj Lokomotivës.

Sfidanti.al