Arbitri më i mirë i botës në 2016 nuk hedh poshtë kalimin në Kinë!

Quhet Mark Klatenburg dhe është anglez. Më e rëndësishmja për arbitrin është se u shpall numri 1 i profesionit të tij në botë, për vitin që po mbyllet. Çfarë mund të pritej tjetër pas këtij informacioni? Natyrisht, që ka marrë ose do të marrë një ofertë nga futbolli kinez. “Dragoi” nga Pekini apo Shangai besohet se ia ka vënë syrin gjyqtarit të shkëlqyer dhe mendohet se, ashtu si yjeve që luajnë në fushë, është gati t’u ofrojë miliona. Klatenburg, si një njeri praktik, e di mirë se paraja nuk ka atdhe.

“Kina, padyshim, po përpiqet ta zhvillojë shumë futbollin e saj, duke pasur parasysh se çfarë lojtarësh ka marrë, – tha ai për argjencinë amerikane të lajmeve, AP, – unë kam kontratë me Premier Ligën, por nëse vjen një ofertë, atëherë unë do të konsideroj të ardhmen time afatgjatë. Nëse do të ketë ofertë, do ta marr në konsideratë, ndonëse jam shumë i lumtur në Premier”. Klatenburg ka 12 vjet gjyqtar në Angli, ndërsa në 2016 arriti kulmin pasi gjykoi finalen e Championsit, Real-Atletiko në “San Siro”.

Sfidanti.al