Anglia: Katër humbje radhazi? Jo, faleminderit, fitojmë me Zvicrën

Shtylla e Xherdan Shaqirit nuk mjaftoi që Zvicra ta kalonte me sukses testin e dytë, edhe pse një miqësor. Pas fitores 6-0 ndaj Islandës në Sent Galen, përfaqësuesja e “orëndreqësve” u mposht 1-0 në “Uembli” nga Anglia, e cila e kishte suksesin një detyrim. Formacioni i trajnerit Garet Sauthgejt kishte humbur 3 ndeshje radhazi, diçka që nuk ndodhte në 40 vjet, ndërsa nëse do të pësohej e katërta, do të barazohej rekordi negativ, që ka ndodhur 6 herë gjithsej në gati 150 vjet futboll të kombëtares angleze.

Nderi u shpëtua nga sulmuesi i ri i Mançester Junajtidit, Markus Rashford, i njëjti që shënoi golin e avantazhit të përkohshëm në humbjen ndaj Spanjës po në “Uembli” për Ligën e Kombeve. Sauthgejt bëri eksperimente në pjesën e parë, duke hedhur në fushë Anglinë B, dhe kjo u kuptua nga fakti që Zvicra luajti shumë më mirë.

Pas pushimit “muzika ndryshoi” dhe Rashford shënoi golin e fitores, ndërsa mbrojtësit nuk lejuan lojtarin kryesor të Zvicrës, Shaqirin, që të barazonte. Një ndeshje e fituar ishte me rëndësi të madhe për kombëtaren e “tre luanëve”, pasi dy ndeshjet e radhës, në Ligën e Kombeve, do të jenë tepër të vështirë, në Kroaci dhe në Spanjë.

Sfidanti.al