Ançeloti nuk i prish dot punë Levandovskit tek Polonia

Kur ishin bashkë tek Bajerni, thuhej se nuk shkonin shumë mirë. Robert Levandovski nuk ia fali Karlo Ançelotit që nuk e ndihmoi të fitonte Këpucën e Artë të Bundesligës, që në të kundërt shkoi për Obamejangun, veçse në kombëtare, italiani nuk ka mundur ta pengojë polakun.

Levandovski u bë shënuesi më i mirë i Polonisë në histori, me 50 gola, pasi realizoi 3 herë në portën e Armenisë, duke lënë pas ish-rekordin e Vlodimierc Lubanskit. “Leva” i shënoi të tre golat në 25 minuta, dhe në 90 ndeshje me kombëtaren ka shifrën e 50 rrjetave, duke kaluar edhe Kristiano Ronaldon për eleminatoret e Kupës së Botës në Rusi. Portugezi kishte arritur në 14 gola, një rekord i të gjitha kohëve në një fazë eleminatore, që CR7 e mbante së bashku me malazezin Predrag Mijatoviç (1998 me Jugosllavinë).

Levandovski tani ka 15 gola në këto eleminatore. Sulmuesi polak është në një formë të jashtëzakonshme me Poloninë, me 24 gola në 14 ndeshjet e fundit zyrtare, dhe Bajerni shpreson që ai ta ketë këtë formë edhe me klubin.

Sfidanti.al