Albi Doka e ka bërë Kroacinë si shtëpinë e vet, shqiptari në krye të renditjes!

Titullin në Shqipëri e fitoi dhe tani dëshiron ta provojë diku tjetër. Albi Doka u largua nga Tirana për të synuar një nivel edhe më të lartë, e deri tani gjithçka po shkon mirë në Ligën e parë të Kroacisë. Edhe pse u bashkua me një ekip me emër modest si NK Gorica, sërish javët e para të kampionatit po tregojnë se Doka me shokët e tij janë shumë të fortë në fushën e lojës.

Gorica mban kreun e tabelës, krah për krah me Dinamon e fuqishme të Zagrebit, duke arritur 4 fitore radhazi, diçka që ka habitur analistët dhe tifozët. Vetë Doka ka arritur edhe të shënojë gol, edhe të shërbejë asist, ndonëse pozicioni i tij në skuadër është mbrojtës i djathtë. Futbollisti 23-vjeçar duket se po arrin pjekurinë e duhur, dhe po luan thuajse në çdo ndeshje në formacion, me ndonjë përjashtim të rrallë, madje ka ardhur duke i forcuar pozitat.

Gorica ka ambicie edhe në Kupën e Kroacisë, ku kaloi turin e parë ndaj rivalit modest, Belishçes. Doka, ndërkaq, është vlerësuar nga mediat kroate për faktin se mbërrin nga kampionia e Shqipërisë, dhe cilësohet si një futbollist që pritet ta ndihmojë shumë Goricën për të arritur objektivat këtë sezon. Synimi kryesor mbetet kualifikimi për në kupat e Europës edicionin e ardhshëm.

Sfidanti.al