A mundet të qajë burri? Po, thotë Rumenige që e bëri për Guardiolën!

Nuk pati rezultatet që u shpresuan prej tij, por siç duket ende mendonin se mund t’ia dilnin. Bajerni i Mynihut e mori Pep Guardiolën pikërisht për Championsin, për të vazhduar traditën që kishte tek Barcelona, dhe që në Bavari e pati Jup Hajnkesi, por kjo gjë nuk ndodhi. Gjithsesi, kur trajneri katalanas u deklaroi punëdhënësve të tij bavarezë synimin për t’u larguar, ata u prekën shumë. E thotë vetë Karl-Hajnc Rumenige, shefi ekzekutiv i klubit, që pohon se “m’u mbushën sytë me lot”. “Në një drekë që patëm në 2015, më tha se do të largohej, – kujton Rumenige, – më tha se donte një sfidë të re. Pepi luajti me letra të hapura me ne, që në fillim. Ai u emocionua dhe iu mbushën sytë me lot, gjithashtu edhe mua”. Nuk dihet nëse Uli Hënesi derdhi gjithashtu lot, por pakkush ka harruar momentin kur presidenti i plotfuqishëm i Bajernit deklaroi në verë 2013: “Habemus Pep” (në latinisht: Kemi Pepin)! Guardiola fitoi 3 tituj kampion radhazi me skuadrën gjermane por u eleminua tri herë radhazi në gjysmëfinale të Championsit ndaj rivalë spanjollë, si Reali, Barcelona dhe Atletiko.

Sfidanti.al